FOKUS AWARD 15-th Edition
TEMA
“Kur sytë tanë preken, a është ditë apo është natë?” – Më këtë frazë anonime shkruar mbi një mur të Parisit, filozofi francez Jackues Derrida përshëndeste dikur në një letërkëmbim mikun e tij Jean-Luc Nancy. Jemi mësuar ta perceptojmë fotografinë si çështje të shikimit, të këndvështrimit, qoftë edhe atij kritik. Sa poetike dhe intime, aq edhe politike, shprehja e Derrida kthehet në esencë të një mendimi se fotografia duhet të jetë edhe më shumë; duhet të jetë prekje, prekja e botës me sytë tanë. Ky kryqëzim i vështrimit me publikun, sado intim dhe personal, asjëherë nuk mund të jetë anonim, përkundrazi, na sjell idenë e takimit, të tejkalimit të limiteve – fizike por edhe morale – të një marrëdhënie jo margjinale me subjektin dhe një analizë të thellë të konditave humane dhe ambjentit, duke filluar nga trupi, ndenja, lutja, vuajtja, gëzimi, tekstura humane e botës por edhe çdo gjë e ndaluar e saj. Kjo temë e projekton punën e fotografit drejt komunitetit që e rrethon, kërkon vështrimin e publikut në aspektin social po aq sa edhe e introjekton vështrimin e tij thellë brenda vetvetes, drejt çka në pamje të parë duket e paprekshme për të tjerët. E kështu, kur sytë preken, çdo gjë e tepërt vanitet dhe gjithçka është edhe më e qartë.
Fokus Award mbush 15 vjet, duke arritur në këtë përvjetor jo vetëm si festivali më jetëgjatë dhe më i madh i trevave shqipëtare por edhe si një festival ndërkombëtar dhe si porta kryesore nga ku kalon pikërisht ndërkombëtarizimi i fotografisë shqiptare, Fokus Award, në gjithë këto vite na ka mesuar se fotografia përtej dokumentimit të konditave humane dhe artit, është edhe ndjenjë, qëndrim, është rezistencë. “Prek Me Sy” është pra tema dhe motivi i edicionit tonë të 15të dhe ftesa vjen për të gjithë, fotografë apo jo. Le ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku edhe në këtë edicion jubilar.
Fituesi do të shperblehet si çdo vit me 1000 EURO. Çmimet e gjashtë kategorive të tjera do të jenë honorifike dhe të shoqëruara me trofeun përkatës.
Fotografitë duhet të jenë bërë në periudhen kohore 2021 – 2024. Janë të pranueshme përmirësimet e mëposhtme të fotografisë:
- Prerja, ndryshimet e kontrastit dhe ekspozimit, korrigjimi i ngjyrave, desaturimi.
- Nuk janë të pranueshme: Importimi i elementeve nga fotografi të tjera, klonimi dhe fshirja e pjesëve të fotografisë, ose përdorimi i ndonjë teknike tjetër që nuk përmendet në listën e ndërhyrjeve të lejuara.
- Jane te ndaluara fotografite e krijuara nga inteligjenca artificiale